Prokuroria Themelore

Aktakuzë ndaj prokurorit, dyshohet se pranoi ofertën për ryshfet prej 20 mijë eurosh

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prizren me inicialet M.B., për shkak të veprës penale “marrja e ryshfetit”.

Ndërkohë që për veprën penale “dhënie e ryshfetit” akuzohen personat me iniciale Sh.P. dhe N.O..

“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.B., në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20.000 €, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime thuhet se ai e ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK-së.

“Ndërsa, të pandehurit Sh.P. dhe N.O., me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin M.B., me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës të sipërshënuar penale”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime thuhet se ata kanë kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.