Aktakuzë kundër tre personave në Mitrovicë, rrahën komisionerin e KQZ-së

Prokuroria e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për vepra penale që ndërlidhen me zgjedhjet e fundit në Kosovë.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër tre të pandehurve A.B., I.B., dhe D.B., në drejtim të veprave penale “Pengim i procesit të votimit”, nga neni 214 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK, dhe “Lëndim i lehtë trupor“, nga neni 185 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria njofton se të pandehurit, në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 06 tetor 2019, në shkollën e mesme të ulët të fshatit Kçiq i Madh të Mitrovicës, kanë vepruar në bashkëkryerje me përdorim të forcës ndaj F.K., zyrtar i tavolinës ndihmëse i emëruar nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës. Të njëjtit e kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin F.K, me ç`rast kanë penguar procesin e votimit, i cili ka rezultuar me ndërprerje të procesit të votimit.

Me këto veprime tre të pandehurit A.B., I.B., dhe D.B., kanë kryer veprën penale “Pengim i procesit të votimit”, nga neni 214 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Po ashtu, të pandehurit kanë goditur të dëmtuarin F.K., me grushte në kokë, qafë dhe fytyrë, duke rezultuar me ndrydhje të indeve të buta të regjionit pas veshit të majtë, qafës dhe gërvishtje pas veshit të majtë.

loading…