Aktakuzat e para të Speciales ngritën kur të vendos Serbia

Në vitin 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës përmes votimit të një ligji, krijuan Gjykatën Speciale e cila tanimë po heton krimet e kryera sipas tyre, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjatë luftës 1998-1999.

Në fund të vitit të kaluar, kjo gjykatë nisi të ftojë dëshmitarë dhe të dyshuar, për t’i intervistuar rreth asaj se çfarë kishte ndodhur gjatë luftës së fundit.

Edhe pse funksionimi i saj ka nis qe dy vite dhe qindra persona kanë dëshmuar, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë, shkruan lajmi.net.

Se Gjykata Speciale është në dëm të Kosovës e thanë shumë figura të larta shtetërore, analistë, avokatë, e shoqëri civile. Madje, këtë e ‘kuptuan’ edhe deputetët që vet kishin votuar pro saj dhe tentuan ta shfuqizojnë, por pa rezultat.

Duke iu referuar Speciales si ‘krijesë monstruoze’, avokati Tomë Gashi thotë se formimi i kësaj gjykate është kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe kundër shtetit.

“Në atë moment që në gusht të vitit 2015, deputetët votuan një ligj për formimin e kësaj gjykate një nacionale, një etnike dhe kundër UÇK-së, ata faktikisht besuan thellë në zemrat e tyre se mund të ketë dyshime për krime të luftës që sipas Dick Martyt i kanë kryer ish-ushtarët dhe komandantët e UÇK-së, e që një pjesë e tyre edhe më 2015 edhe sot janë në vende udhëheqëse të shtetit të Kosovës. Kjo gjykatë një etnike që do ta qes shpejt në bankë të akuzuarave luftën për liri të shqiptarëve të Kosovës dhe faktikisht qe 4 vite e formuar dhe qe 2 vite funksionale, ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë edhe pse ka intervistuar mbi 50 të dyshuar dhe dëshmitarë ish-pjesëtarë të UÇK-së, dhe ka intervistuar qindra e qindra e qindra dëshmitarë të tjerë”, ka thënë Gashi për lajmi.net.

Sipas avokatit, Gjykata Speciale në të vërtetë është gjykatë ndërkombëtare e Serbisë, pasi është formuar me presion të këtij shteti.

“Që të jetë gjithçka zi dhe gri, kjo gjykatë raciste e themeluar nga deputetët e Kosovës kundër Kosovës, është në të vërtete gjykatë ndërkombëtare e Serbisë, sepse është formuar me presion të Serbisë dhe në ligjin e Kosovës për këtë gjykatë, ajo bashkëpunon ngushtë me prokurorin e Serbisë në Beograd për krime të luftës dhe i pranon dëshmitë e kësaj prokurorie serbe dhe të gjitha organeve tjera të Serbisë, si prova kundër shqiptarëve të Kosovës të cilët i quajnë terroristë. Që i bie është një situatë katastrofale që Gjykata Speciale u formua nga deputetet shqiptarë të Kosovës kundër shqiptarëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së, dhe që kundër tyre do të përdoren të ashtuquajtura prova dhe dëshmi të Serbisë e cila i quan pjesëtarët e UÇK-së, terroristë”, ka potencuar Gashi.

Që Specialja, është gjykatë e Serbisë, Gashi thotë se këtë e vërteton edhe deklarimi publik i ministres serbe të Drejtësisë.

“Se është haptas gjykatë e Serbisë e vërteton edhe deklarimi publik i ministres serbe të Drejtësisë, e cila para më pak se një muaji deklaroi haptas se Serbia ka dërguar me mijëra dokumente dhe sipas saj prova në Gjykatën Speciale kundër pjesëtarëve të UÇK-së, por tani për tani nuk insiston që të akuzohen. Dhe dihet pse, sepse nga biseda kinse teknike me Serbinë u shndërruan në negociata për territor në favor të Serbisë e në dëm të Kosovës”.

Avokati ka theksuar se aktakuzat e para do të ngritën, kur Serbia të vendos.

“Akuzat e para duket se do të ngritën kur Serbia të vendos, sepse tani për tani gjithçka është në favor të saj. Pra, Serbia vendos kur do të kemi akuzat e para në Gjykatën Speciale në Hagë, në dëm të shqiptarëve dhe Kosovës si shtet”, ka përfunduar Gashi.

Nasim Haradinaj nga OVL-UÇK, i ka thënë lajmi.net se nuk kanë numër të saktë të të ftuarve nga Specialja, pasi sipas tij nuk lajmërohen të gjithë në organizatë.

“Me numër ne nuk spekulojmë se nuk e dimë saktë, ne e dimë vetëm ata që lajmërohen te na dhe që mësojmë përmes mediave”.

Haradinaj ka shtuar se i fundit që është lajmëruar në këtë organizatë, është Muhamed Kransiqi.

“I fundit që është lajmëruar tek ne është Muhamed Krasniqi të cilin e kemi bërë publike. Për tjerë nuk dimë kam lexuar edhe për Shukri Bujën, por tek ne nuk është lajmëruar”.

Së fundi, komandanti i Batalionit të II-të të brigadës 121 Kumanova, Ramiz Qeriqi është intervistuar nga Specialja. Ai ka thënë se do ta dëshmojë që UÇK-ja nuk ka qenë e padrejtë dhe nuk ka kryer krime lufte.

loading…