Aktakuza ndaj Gjikos për dhunimin e të miturës, flasin nga Gjykata Themelore

Reperi Asdren Gjikolli, i njohur me nofkën artistike Gjiko, më 26 prill 2022 do të dalë përsëri para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

I njëjti po akuzohet se në korrik të vitit 2015 ka dhunuar një të mitur.

Ndërsa, më 25 mars 2022 ndaj Gjikos është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar, por e njëjta pas kërkesës së palës mbrojtëse të të pandehurve është shtyrë për 26 prill.

Kjo është konfirmuar për FrontOnline nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se lidhur me këtë lëndë është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar me datë 25.03.2022, e cila është shtyrë për datë 26.04.2022 me kërkesë të mbrojtësve të të pandehurve me qëllim të pajisjes me shkresa të lëndës”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ndërsa, nuk ka dhënë detaje të tjera se çfarë është duke ndodhur me këtë çështje, duke pohuar se seancat janë të mbyllura, për shkak se palët e dëmtuara janë persona të mitur.

“Lidhur me rastin e të pandehurve A.GJ etj, ju njoftojmë se në këtë rast seancat janë të mbyllura për publikun, pasi që rasti ka të bëjë me lëndë ku dyshohet se të përfshirë si palë të dëmtuara janë persona të mitur, andaj të gjitha procedurat në raste të tilla janë konfidenciale”, ka deklaruar më tutje, për FrontOnline, Gashi.

Front Online ka publikuar të mërkurën aktakuzën e vitit 2017, sipas së cilës Gjiko akuzohet se ka rënë në kontakt me një femër të mitur, të cilën e ka mashtruar se do ta bënte këngëtare dhe do ta angazhonte në spote të këngëve. Me të njëjtën, sipas aktakuzs, ai thuhet se ka kryer edhe marrëdhënie seksuale.

Front Online e ka publikuar të plotë aktakuzën e ngritur ndaj këngëtarit Gjiko nga prokurorja Sebahate Hoxha.

Por, e gjithë kjo akuzë sipas reperit, është e pavërtetë.

Ai me anë të një postimi në ‘Instastory’ ka deklaruar se nuk e ka mashtruar askënd as nuk i ka premtuar askujt karrierë. Gjithashtu shtoi se ka përgatitur dy paditë e para dhe beson që drejtësia do t’ia nxjerrë në pah të vërtetën.