Aktakuza e Speciales kundër Thaçit e të tjerëve, 13 rastet ku përmendet LDK-ja

Më 5 nëntor është konfirmuar aktakuza ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi.

Ata mbanin pozita të larta shtetërore në Kosovë dhe aktualisht po akuzohen për krime lufte, tortura çnjerëzore dhe frikësim.

Në aktakuzën e publikuar nga Dhomat e Specializuara e cila ka 69 faqe, përmenden raste të ndryshme për të cilët ish-krerët e UÇK-së po akuzohen nga Gjykata Speciale. Madje përmenden edhe anëtarë e përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët thuhet se janë torturuar e frikësuar nga ish-udhëheqësit e UÇK-së, shkruan Express.

Kjo parti përmendet plot 13 herë në aktakuzën e konfirmuar nga Specialja:

Në cilat raste përmenden anëtarët e përkrahësit e LDK-së?

Në rastin e parë përmendet kur në vitin 1989, Kosovës iu hoq statusi i krahinës autonome dhe pas kësaj, shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës mbështetën një referendum për pavarësi, miratimin e një kushtetute dhe krijimin e institucioneve shtetërore paralele, ndër të cilat edhe një qeveri e udhëhequr nga partia më e madhe politike në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës (‘LDK’), me President, Ibrahim RUGOVËN dhe kryeministër, Bujar BUKOSHIN.

Në rastin e dytë, LDK-ja thuhet se ndoqi një politikë të qëndresës jo të dhunshme, mohoi legjitimitetin e qeverisjes së Kosovës nga Serbia dhe krijoi sisteme paralele të arsimit, shërbimit shëndetësor dhe të tatimeve.

Por, në rastin e tretë, anëtarët e përkrahësit e LDK-së thuhet se janë frikësuar, keqtrajtuar dhe janë eleminuar në mënyrë të paligjshme nga ish-krerët e UÇK-së, pasi të njëjtit sipas aktakuzës, i kishin cilësuar si kundërshtarë.

Në rastin e katërt, thuhet se Thaçi dhe Selimi në shtator të vitit 1998 në Zonën operative të Dukagjinit morën hapa për të frikësuar dhe për të vendosur pushtet mbi njësitet që kishin lidhje me LDK-në, ndër të cilat edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (‘FARK’) të lidhura me qeverinë në mërgim.

Në rastin e pestë, thuhet se midis prillit 1998 dhe janarit 1999 në Likoc, Skënderaj, të ndaluarve nuk iu ofrua mjaftueshëm ushqim, ujë, kushte higjienike e sanitare, kujdes shëndetësor dhe/ose shtroja e mbuloja. Një numër anëtarësh të UÇK-së, ndër të cilët Sylejman SELIMI dhe Sabit GECI, rregullisht i rrahën të ndaluarit egërsisht dhe i keqtrajtuan ata psikologjikisht. Të ndaluarit u goditën në të gjithë trupin me pushkë, shkopinj bejsbolli, instrumente prej metali dhe shkopinj druri, grushte, shkelma, dhe/ose ndryshe u kërcënuan me lëndime trupore dhe vdekje. Ata dëgjuan dhe panë keqtrajtimin e egër që u bëhej të ndaluarve të tjerë, ndër të cilët edhe anëtarë të familjes, si dhe i detyruan të rrihnin njëri-tjetrin. Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u akuzuan se ishin tradhtarë për arsye se përkrahnin LDK-në, se shoqëroheshin me serbë ose me punonjës policie, se ishin spiunë dhe bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe dhe se nuk përkrahnin UÇK-në. [REDAKTUAR].

Në rastin e gjashtë, në aktakuzën kundër Thaçit dhe të tjerëve thuhet se në mesin e të ndaluarve në Likoc të Skenderajt ishin përkrahës të LDK-së, romë e serbë.

Në rastin e shtatë, thuhet se në Drenoc, Rahovec midis majit dhe korrikut të vitit 1998, përkrahësit e LDK-së, romë dhe serbë u mbajtën në qeli të improvizuara dhe nuk iu ofrua kujdes mjekësor i mjaftueshëm. Të ndaluarve iu morën sendet personale dhe nuk iu kthyen kurrë më. Një numër anëtarësh të UÇKsë rregullisht i rrahën të ndaluarit egërsisht dhe i keqtrajtuan ata psikologjikisht. Të ndaluarit u goditën me shkopinj, grushte, shkelma, iu lidh në trup rrymë elektrike, dhe/ose u kërcënuan me vdekje. Ata dëgjuan dhe panë keqtrajtimin e egër të të ndaluarve të tjerë. Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u akuzuan se shoqëroheshin me serbë ose romë, se ishin spiunë dhe bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe dhe mospërkrahës të UÇK-së.

Në rastin e tetë, thuhet se përkrahës të LDK-së, romë e serbë, në Malishevë, afërisisht midis 17 korrikut 1998 dhe 26 ose 27 korrikut 1998, të ndaluarit në ish-stacionin e policisë në Malishevë u mbajtën në dhoma të tejmbushura, me shumë pak ajrim, ushqim, ujë, kushte higjienike e sanitare, kujdes shëndetësor dhe/ose shtrojat e mbulojat që iu ofruan atyre, ishin të pamjaftueshme. Jakup KRASNIQI u identifikua se ishte i pranishëm në ish-stacionin e policisë dhe, në një rast, vizitoi dhomën ku mbaheshin të ndaluarit. Një numër anëtarësh të UÇK-së rregullisht i rrahën të ndaluarit egërsisht dhe i keqtrajtuan ata psikologjikisht. Të ndaluarit u goditën me kondakë pushkësh dhe mjete të tjera, u shkelmuan dhe/ose ndryshe u kërcënuan me vdekje dhe dhunë fizike. Ata dëgjuan dhe panë keqtrajtimin e egër të të ndaluarve të tjerë.

Në rastin e nëntë, thuhet se në Llapashticë të Podujevës, përkrahës të LDK-së dhe persona me kombësi serbe u mbajtën në një sallë të tejmbushur, pa ngrohje, ushqim e kushte higjienike. Një numër anëtarësh të UÇK-së rregullisht i rrahën të ndaluarit egërsisht dhe i keqtrajtuan ata psikologjikisht. Të ndaluarit u goditën në të gjithë trupin me shkopinj, zinxhirë, litarë dhe kondakë pushkësh, me grushte, shkelma, me rrymë elektrike, dhe/ose u kërcënuan me vdekje. Ata dëgjuan dhe panë keqtrajtimin e egër të të ndaluarve të tjerë dhe u detyruan të rrihnin njëri-tjetrin. Disa të ndaluar u detyruan të kryenin punë krahu. Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u akuzuan se shoqëroheshin me serbë, se ishin spiunë dhe bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe, ose nuk e përkrahnin UÇK-në.

Në rastin e 10-të, thuhet se në Zllash të Prishtinës, anëtarët e UÇK-së I keqtrajtuan të ndaluarit dhe i akuzuan se ishin anëtarë të LDK-së, tradhtarë, spiunë dhe bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe dhe mospërkrahës të UÇK-së.

Në rastin e 11-të, LDK-ja citohet në pjesë kur në Cahan të Hasit të Shqipërisë, të ndaluarit që u keqtrajtuan u morën në pyetje dhe u akuzuan se ishin përkrahës dhe spiunë të LDK-së, se shoqëroheshin dhe bashkëpunonin me serbët dhe autoritetet serbe dhe se nuk përkrahnin UÇK-në.

Në rastin e 12-të, LDK-ja përmendet kur në Malishevë, në një qeli të improvizuar, një numër anëtarësh të UÇK-së rregullisht i rrahën të ndaluarit egërsisht dhe i keqtrajtuan ata psikologjikisht. Të ndaluarit u goditën me shufra hekuri dhe shkopinj, me grushte, shkelma, dhe/ose u kërcënuan me vdekje. Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u akuzuan se ishin anëtarë dhe përkrahës të LDK-së, spiunë dhe bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe dhe mospërkrahës të UÇK-së.

Dhe krejt në fund, LDK-ja përmendet, kur anëtarë të kësaj partie thuhet në Prizren u akuzuan e u keqtrajtuan nga anëtarë të UÇK-së. Të ndaluarit dëgjuan dhe panë keqtrajtimin e egër të të ndaluarve të tjerë. Të ndaluarit u fyen dhe u morën në pyetje e akuzuan se ishin anëtarë të LDK-së, për kryerje krimesh kundër shqiptarëve të Kosovës, ose se ishin bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe. Ndër të ndaluarit kishte persona me kombësi serbe

Madje ka politikanë që akuzuan LDK-në së janë përgjegjës për konfirmimin e aktakuzës kundër Thaçit e të tjerëve

Disa prej politikanëve në Kosovë e akuzuan LDK-në dhe thanë se kanë përgjegjësi për konfirmimin e aktakuzës kundër Thaçit dhe të tjerëve. Ishte ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca i cili tha se LDK-ja ka përgjegjësi të madhe për këtë aktakuzë.

“Unë mendoj që për aktakuzën e këtyre katërve edhe LDK’ja duhet me dal edhe s’doli, edhe LDK’ja duhet me dal, 13 herë përmendet emri i partisë në aktakuzë, 13 herë. Ata kanë përgjegjësi edhe më të madhe”, kishte thënë Konjufca në një debat televiziv.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka pyetur ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni, i cili vjen nga radhët e LDK-së se pse nuk po jep dorëheqje nga politika, tani kur ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

“Kur do të jepni dorëheqje pasi është përmbushur misioni juaj politik”, ka pyetur Musliu-Qunin dje në seancën e Kuvendit.

Një muaj prej kur Thaçi e të tjerët po qëndrojnë në paraburgim në Hagë

Kanë kaluar disa prej kur ish-krerët e UÇK-së po qëndrojnë në paraburgim në objektin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në konferencën për ecurinë e çështjes lidhur me ish-eprorët e UÇK, mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emerson i kishte propozuar Gjykatës Speciale që gjykimi ndaj eprorëve të UÇK-së të filloj në qershor të 2022-ës.

Por një propozim të tillë e ka kundërshtuar Zyra e Prokurorit të Specializuar pasi që, sipas tyre, vonesat në fillimin e procesit gjyqësor të kërkuara nga mbrojtja nuk janë të justifikuara dhe as në përputhje me interesin e procedurave të shpejtimit dhe të drejtës së dëshmitarëve dhe viktimave për një gjykim të arsyeshëm në kohë.

Prokurori Jack Smith nga Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka propozuar Gjykatës Speciale që gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit të filloj në verë të vitit 2021 apo më së largu deri në shtator të 2021-ës.