Aksioni “Subvencioni 2021” vazhdon, deri më tani 22 të arrestuar

Krimet Ekonomike sot kanë vazhduar aksionin “Subvencioni 2021”, me ç’rast deri më tani Sinjali mëson se janë arrestuar 22 persona, katër prej tyre në komunën e Istogut, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Katër zyrtarët e drejtorisë së Bujqësisë, që u arrestuan në Komunën e Istogut janë Valbona Kaliqani, Adrian Ramqaj, Jeton Sylaj dhe Granit Lubeniqi.

Të arrestuarit dyshohen për mashtrim me subvencione dhe tashmë po intervistohen në Polici.

Ndërkaq nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për Ballkani.info se operacioni policor është duke u realizuar.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jipen informacione shtesë.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.