Aksioni në veri

Aksioni në veri pa policë specialë, afër tyre shihen edhe pjesëtarët e EULEX-it

Policia e Kosovës po kryen bastisje në disa institucione financiare në veri të vendit, ndërsa ka njoftuar se 6 prej tyre i ka mbyllur tashmë.

Në këtë operacion shihen të jenë angazhuar policë të rregullt dhe jo ata specialë.

Në Zveçan, ndërsa Policia po e zhvillon aksionin, jashtë janë parë disa pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Policia tha se “ky operacion policor është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, aksion ky i cili deri më tani ka kaluar pa ndonjë problem apo incident”.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, thuhet në njoftim.

Para një jave, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore tranzitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme, që synon ta heq dinarin serb si mjet pagese në vend.

Tash që euro konsiderohet valuta e vetme e vlefshme për transaksione në Kosovë, rregullorja e BQK-së parashikon ndëshkime për ata që e përdorin dinarin serb si mjet pagese.

BQK-ja ka thënë se gjatë periudhës tranzitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Kryeministri Albin Kurti tha para një jave se BQK-ja “e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi”.

Çështja e dinarit e ka përballur Qeverinë e Kosovës me kundërshtimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka kërkuar pezullimin e zbatimit të rregullores së re të BQK-së.

Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë takuar disa herë në Bruksel, në një përpjekje të pasuksesshme për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje.