Aksionarët e FC Prishtinës duket t’i kenë tejkaluar disa polemika që kishin në mes veti duke u bashkuar rreth skuadrës, e cila në sezonin pranveror do ta vazhdojë luftën për titull të kampionit karshi Ballkanit, Dritës, Gjilanit apo edhe Feronikelit.
Prishtina sezonin pranveror do ta nis me katër pikë më pakë sesa kryesuesi Ballkani. Brdhekaltrit i kanë kryer pushimet e festave të fundvitit dhe u janë kthyer përgatitjeve për sezonin pranveror.
Para se të dalin në fushë, ekipin e futbollistëve e kanë takuar aksionarët më të mëdhenjë, presidenti Remzi Ejupi dhe Rrahman Haradini, por edhe aksionarët tjerë. Ata kanë kërkuar nga lojtarët ta kthejnë titullin e kampionit në kryeqytet, të cilin “Plisat” e presin qe më shumë se 6 vjet.
Haradini dhe Ismet Begolli ishin dy aksionarët të cilët qe një kohë të gjatë i kishin ndalur investimet në klub në shenjë paknaqësie me politikat e aksionarëve të tjerë të klubit. Me kthimin e tyre forcat pritet të bashkohen në mënyrë që klubi të mos ketë probleme financiare pasi barra më e madhe qe një kohë të gjatë kishte rënë mbi kryetarin Remzi Ejupi.
“Sot zyrtarisht kanë nisur përgatitjet për stinorin pranveror. Skuadra ka nisur punën së pari në palestër, konkretisht në fitnes. Ndërsa, futbollistët janë pritur nga aksionarët e klubit, Remzi Ejupi, Rrahman Haradini, Fikret Maqastena, nga të cilët futbollistëve iu është premtuar korrektësi maksimale sidomos financiare, ndërkohë nga ta është kërkuar, sidomos regjim strikt i disiplinës me synim të qartë të rikthimit të titullit në kryeqendër”, thuhet në njoftimin e klubit.
Aty bëhet e ditur se djali i aksionarit Ismet Begolli, Granit Begolli – i cili ka luajtur si futbollist për Prishtinën – është emëruar drejtor sportiv. “Kryetari i klubit, Remzi Ejupi, para futbollistëve ka prezantuar drejtorin e ri sportiv, Granit Begolli, i cili para lojtarëve ka premtuar që do të jetë pran tyre për çdo kërkesë apo problem që do të kenë ata. Njëzëri, kryetrajneri Dallku, kapiteni Thaqi, kanë premtuar përkushtim maksimal drejt qëllimit të vetëm që ka klubi, titullin e kampionit”, thekson FC Prishtina.







