Aksion simbolik: “Erdhi Dita/Kryeministri gatitu para flamurit lara-lara” dhe “Beso/Kryeparlamentare e shkele Kushtetutën”

Disa studentë të Universitetit të Prishtinës, sot kanë zhvilluar një aksion simbolik në hyrje të Qeverisë së Kosovës dhe në hyrje të Kuvendit të Kosovës, me dy mesazhe për bartësit e këtyre dy institucioneve.

Pas vendosjes së pankartës “Erdhi Dita: Kryeministri gatitu para flamurit lara-lara”, studentja Diellza Gashi ka thënë se kryeministri aktual, Albin Kurti, me dekada i mohoi institucionet dhe simbolet e Republikës së Kosovës.

“I përbuzi ato. I përdhosi me ujëra të zeza dhe i dogji me molotovë. Por, ai dje qëndroi gatitu para flamurit të Republikës së Kosovës, që dikur e quante flamur lara-lara apo flamur i Hib Petrolit. Përdhosjen e simboleve shtetërore ai e kishte shndërruar në trashëgimi politike”, ka thënë ajo.

Po ashtu, me sjelljen e tij politike, me gaz lotsjellës në Kuvend, me përdorimin e dhunës në rrugë, me ngritjen e tendave dhe grevat në shesh, sipas kësaj studenteje, Albin Kurti e ka ushqyer gjithmonë iluzionin se Kosova nuk bëhet, se Kosova është shtet i dështuar, duke kërkuar një Republikë të Tretë. Si studentë, Gashi ka thënë se i gëzohen shkeljes së parimeve të Kurtit dhe ndryshimit të tij.

Ndërsa, pas vendosjes së pankartës “Beso: Kryeparlamentare e shkele Kushtetutën”, ajo ka thënë se Ligji për Protokollin e Shtetit i obligon të gjitha institucionet që ta vendosin fotografinë e Presidentit të Republikës, por kryeparlamentarja Vjosa Osmani, në ditën e parë të punës e shkeli ligjin, e shkeli Kushtetutën, duke hequr nga zyra e saj fotografinë zyrtare të Presidentit të Republikës.

“Kryetarja e Kuvendit dje tha se e njeh mirë legjislacionin dhe nuk ka shkelje kushtetuese, por njëjtë kishte thënë edhe në rastin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, i cili kishte dhënë dorëheqje pikërisht sepse Vjosa Osmani si këshilltare e tij ligjore e kishte këshilluar gabimisht”, ka thënë Gashi.

Në nenin 4, pika 3, të Rregullores së Qeverisë së Kosovës Nr. 19/2011, sipas studentes, thuhet shumë qartë se fotografia e Presidentit në zyre duhet të vendoset në mur, në vend të dukshëm apo ballor. “Si e dyta në hierarkinë shtetërore, Vjosa Osmani menjëherë tregoi që nuk e respekton as hierarkinë, as përfaqësimin dhe as ceremonialet zyrtare e protokollare të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Por, edhe kryeparlamentarja, edhe kryeministri, edhe çdo titullar tjetër në institucionet e Kosovës, sipas saj, duhet ta kenë të qartë se pozitat dhe ata janë të përkohshëm, kurse institucionet dhe Republika e Kosovës të përhershme. /Ballkani.info/