Policia e Kosovës ka zhvilluar disa operacione në zonën e Zubin Potokut, gjatë periudhës 6–17 gusht, me qëllim të zbulimit dhe sekuestrimit të armëve ilegale.
Operacionet janë zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se aksionet u ndërmorën pas pranimit dhe verifikimit të informatave operative, përfshirë edhe informacione të siguruara në bashkëpunim me qytetarë.
Gjatë operacioneve janë kontrolluar gjithsej 45 lokacione, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion, pajisje ushtarake dhe dokumentacion i ndryshëm.
Çfarë u gjet gjatë operacioneve?
Sipas Hoxhës, në mesin e armëve të sekuestruara janë:
20 mitralozë;
11 armë të gjata AK-47;
22 armë të gjata të llojeve të ndryshme;
27 pushkë gjuetie;
9 pistoleta;
1 pushkë ajrore.
Përveç armëve, policia ka sekuestruar edhe 4,831 copë municione të kalibrave të ndryshëm, si dhe një numër të madh të pjesëve dhe pajisjeve për armë, përfshirë karikatorë, kondakë, optikë, kaseta armatimi dhe pajisje të tjera.
Pajisje dhe uniforma ushtarake
Në lokacionet e kontrolluara janë gjetur edhe pajisje të ndryshme ushtarake, si thika ushtarake, gazmaska, dylbi, radiolidhje, mbajtëse për radio, sëpata ushtarake dhe arka druri për municione.
Policia ka sekuestruar gjithashtu uniforma dhe çanta ushtarake, përfshirë veshje që, sipas Hoxhës, lidhen me ushtrinë dhe policinë e Serbisë.
Dokumente të ish-Jugosllavisë dhe materiale të tjera
Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe dokumente të ndryshme, përfshirë dokumentacion që lidhet me Mbrojtjen Territoriale të ish-Jugosllavisë, kartela të veteranëve të luftës, dokumente personale me numra serikë, ditarë të rojeve të pyllit dhe dorëshkrime të ndryshme.







