Policia

Aksion bastisjesh nga Policia e Kosovës, arrestohen disa persona

Policia e Kosovës në pasditen e sotme ka zhvilluar disa aksione bastisje, ku ka arrestuar disa të dyshuar, në kuadër të aksionit për goditjen e grupeve kriminale.

Një aksion i tillë është zhvilluar në lagjen Kalabria në Prishtinë.

Ndërsa zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka njoftuar se aksione të bastisjes janë kryer në 7 lokacione të ndryshme në Komunën e Drenasit, ku janë arrestuar tre të dyshuar.

“Njësitet policore të rajonit të Prishtinës në kuadër të intensifikimit të masave të marra në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike si dhe goditjes me së individëve dhe grupeve kriminale, kanë organizuar punën e tyre me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikimin, zbulimin, grumbullimin e saktë të informacioneve mbi vendstrehimin e këtyre personave, mbajtjen nën kontroll të vazhdueshëm të lidhjeve të tyre, si dhe organizimin e operacioneve të kualifikuara policore të zhvilluara për ketë qëllim.

Një operacioni i gjerë policor i shtrirë në kuadër të rajonit të Prishtinës është zhvilluar sot në orët e pasdites, nga njësitet e stacionit policor të Drenasit, te mbeshtetura nga njësitet e NJRSH-së, ku janë ndërmarrë 7 aksione ne lokacione te ndryshme përkatësisht në fshatrat Sankovc, Kisharekë, Korroticë e Lartë, në qytetin e Drenasit dhe Shtuticë, me ç’ rast janë arrestuar tre persona të dyshuar dhe janë realizuar 15 urdhëresa të gjykatës. Konform urdhëresave të gjykatës dhe kompetencave policore personat e arrestuar: A. S, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, (13 urdhëresa të gjykatës), I. D, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, (një urdhëresë të gjykatës) si dhe A. B, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës ( 1 urdhëresë të gjykatës), janë dërguar në vuajtje të dënimit”, njofton Ahmeti.

Ndryshe, aksioni i policisë zhvillohet një ditë pas vrasjes së një polici në Istog nga një i dyshuar që grabiste bankën, i cili pastaj është qëlluar për vdekje nga efektivet policore.