Aksidenti me fatalitet në Kamenicë, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit

Gjykata Themelore e Gjilanit ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ia caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit me inicialet M.S.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 21.09.2020, në qendër të Kamenicës, i pandehuri nuk e kishte përshtatur shpejtësinë ngasjes së automjetit me kushtet e rrugës, ashtu që me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit të tij kishte godur këmbësorin S. H., i cili ishte duke kaluar rrugën nga ana e majtë për në të djathtë, nga drejtimi i lëvizjes së automjetit, me ç’rast si pasojë e kësaj goditjeje i dëmtuari ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “Rrezikim në trafikun publik”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ndërsa propozimi i mbrojtësit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, vlerësuar si masë e pamjaftueshme në këtë fazë të procedurës”.