Aksidenti i KFOR-it ua pamundëson fluturimin rreth 20 udhëtarëve

Një aksident trafiku pasditen e së shtunës në afërsi të mbikalimit që shpie tek Aeroporti “Adem Jashari” ua ka pamundësuar fluturimin rreth 20 udhëtarëve.

Kolonat disakilometërshe të krijuara nga rrethi i Fushë Kosovës në drejtim të Aeroportit ishin bërë për shkak të një aksidenti ku ishte përfshirë edhe një veturë e KFOR-it. KFOR-i ka konfirmuar aksidentin teksa ka njoftuar se nuk ka pasur të lënduar.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rruga ishte e qarkullueshme në vetëm një shirit rrugor për shkak të aksidentit. Në një përgjigje për Koha.net, Policia ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:40, ndërsa rruga është liruar plotësisht në orën 19:45.

“Më datë 03.11.2018 rreth orës 17:30 në rrugën nacionale Fushë Kosovë – Pejë pikërisht mbi urën në fshatin Henc, drejtimi Pejë, ka ndodhur një aksident trafiku ku të përfshira kanë qenë dy automjete, një automjet i KFOR-it dhe një veturë civile. Policia i janë përgjigjur rastit me kohë dhe i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, po ashtu në vendngjarje për arsye të përfshirjes së automjetit të KFOR-it, kanë dalë edhe njësiti kompetent dhe autoambulanca e tyre, e që është zgjatur procedura e vendshikimit. Rruga është liruar në ora 19:45. Vlen të ceket se një shirit gjatë tërë kohës ka qenë i lirë për qarkullim, mirëpo fluksi i madh i automjeteve në atë kohë ka ngadalësuar lëvizjen e mjeteve”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Të gjitha këto vonesa kanë lënë pa fluturim rreth 20 udhëtarë. Vonesën e rreth 20 udhëtarëve e ka konfirmuar edhe aeroporti.

“Koha e check-init ka kaluar apo fluturimi është mbyllur në kohën kur kanë arritur rreth 20 udhëtarë në aeroport. Sipas procedurave, të gjithë udhëtarët pavarësisht arsyeve të vonesave duhet të arrijnë me kohë në mënyrë që të realizojnë fluturimin e tyre”, ka thënë për Koha.net, zyrtarja për informim e Aeroportit “Adem Jashari”, Valentina Gara.