Aksident në rrugën Bardh i madh – Drenas, katër persona të lënduar

Katër persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në rrugën Bardh i madh-Drenas.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:00, ndërkaq bëhet e ditur se të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 14:00 në rrugën Bardh i Madh -Drenas, ka ndodhur një aksident komunikacioni, ku janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e aksidentit katër persona kanë pranuar trajtim mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, tha Ahmeti.