Aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes një grua dhe lëndohen 4 persona

Mbrëmë rreth orës 21:45 në autostradën “Ibrahim Rugova”, konkretisht në hyrje-dalje në Mazgit-Fushë Kosovë, ka ndodhur një aksident trafiku si pasojë e të cilit një grua ka vdekur dhe janë lënduar katër persona.

Lajmin për Demokracia.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tha se në këtë aksident ishin përfshirë dy automjete.

“Me datën 04.03.2023 rreth orës 21:45 në Autostradën Ibrahim Rugova në hyrje-dalje Mazgit-Fushë Kosove është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet, ku raportohet se një person (femër) ka humbur jetën, dhe 4 persona të tjerë kane marr lëndime trupore. Të involvuara në këtë aksident janë dy automjete. Në vend ngjarje ka dal njësia e hetimeve, drejtori i divizionit rrugor te PK-së dhe është njoftuar prokurori kujdestar i cili po ashtu ka dal në vend ngjarje dhe hetimet për të identifikuar shkaqet e këtij aksidenti janë duke u kryer nga kompetentet”, tha Hoxha.

Hoxha më tej ka bërë thirrje për respektim të rregullave në trafik.

“Aksidentet rrugore me pasoja fatale kanë qenë tepër shqetësuese kohet e fundit, andaj për te shmangur humbjen e jetëve njerëzore apelojmë për kujdes më të madhe dhe respektim të ligjit në trafik”, përfundoi ai.