Aksident masiv në SHBA, përplasen 100 automjete, 4 viktima

Të paktën 3 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në një aksident masiv me 100 mjete në Uajoming të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të një stuhie bore në rrugë. 5 kilometra më larg ndodhi një tjetër aksident me 40 makina, ku mbetën të plagosur 7 vetë.

Udhëtarë të ndryshëm, të bllokuar në rrugë, postuan foto në rrjetet sociale nga vendi i ngjarjes, ku duken kushtet atmosferike tepër të rënduara. Era aty arriti në një shpejtësi 80 km/h, ndërsa temperaturat e ulëta vështirësuan edhe më tej qarkullimin.

Rreth 30 persona u dërguan në urgjencën e spitalit të Kontesë Karbon, duke shkaktuar vështirësi, pasi spitali i vogël kishte vetëm 25 shtretër. Kjo bëri që pacientët të qëndronin në kafene në pritje për t’u shtruar, raportojnë mediat amerikane.

Të 4 viktimat janë nga aksidenti më i madh, ku u përfshirë 100 makina dhe kamionë, tha zëdhënësi i patrullës rrugore të Policisë, i cili nuk përjashtoi që numri të rritej në vazhdim. Ai tha se nuk mbante mend që në zonë të kishte ndodhur ndonjëherë tjetër një aksident më i madh.

Rruga ndërshtetërore I-80, ku ndodhën aksidentet, është 321 kilometra e gjatë dhe për të shmangur aksidente të tjera, për shkak se stuhia do të vazhdojë për disa ditë, të hënën ajo qëndroi përsëri e mbyllur.