AKP publikoi listën e privatizimeve të ndërmarrjeve shoqërore

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka publikuar raportin e azhurnuar me listën e privatizimeve të ndërmarrjeve shoqërore dhe të shitjeve të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore të realizuara deri më 31 janar.

Sipas raportit, janë gjithsej 1662 kontratat të privatizimit të nënshkruara deri më tani, ndërkaq janë realizuar 707 milionë e 857 mijë e 232 euro.

Sipas një komunikate të AKP-së, më së shumti asete të shitura ka pasur në rajonin e Prishtinës, gjithsej 427, pastaj vjen rajoni i Pejës me 385 shitje të realizuara, Gjilani me 309 shitje, në rajonin e Prizrenit janë realizuar 296 privatizime dhe në rajonin e Mitrovicës 245 asete.

“AKP dëshiron që përmes këtij njoftimi të ri-theksoj përkushtimin për ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies para opinionit publik për gjithë procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore që është i një rëndësie të veçantë për administrimin e mirë të aseteve në pronësi shoqërore dhe rritjen e vlerës së tyre. Listat e publikuara do të azhurnohen periodikisht, ndërkaq ftohen palët e interesit që në rast të vërejtjeve në saktësinë e shënimeve të publikuara, të dërgojnë me shkrim vërejtjet e tyre në zyret rajonale të Agjencisë. Raporti mund të gjendet në ëeb faqen e AKP-së në adresën: www.pak-ks.org”, thuhet në komunikatë.