AKK shqetësohet pas vendimin për marrjen e pronave të 7 komunave| Kurti me standarde të dyfishta

Vendimi i Kryeministrit të vendit Albin Kurti i datës 30 prill në bazë të cilit pronat e 7 komunave të vendit do t’i kthehen Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), është konsideruar shqetësues për Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK).

Drejtori i AAK-së, Sazan Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se Kryeministri i vendit po luan me standarde të dyfishta, pasi sipas tij ky vendim s’po vlen për komunat e pjesës veriore.

Madje ai ka thënë se vendimi i ish-kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj, për t’ia dhënë pronat komunave ka ndodhur edhe në komunat e pjesës veriore, kurse vendimi i fundit i Qeverisë për t’ia rimarr këto prona komunave ka ndodhur vetëm për komunat me shumicë shqiptare dhe një standard i tillë nuk ka ndodhur edhe për komunat veriore të vendit

“Ne si Asociacion i Komunave të Kosovës e konsiderojmë të padrejtë vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës sa i përket marrjes së pronave të cilat deri më tash ishin të menaxhuara nga komunat dhe rikthimin e tyre tek Agjencia Kosovare e Privatizimit. 7 komuna janë të prekura në mënyrë të drejtpërdrejtë, është një ndër absurdet e këtij vendimi që Hani i Elezit e ka përfituar këtë pronë edhe nga Gjykata Supreme, mirëpo ne jemi në dijeni që vendimi i ish-kryeministrit Haradinaj për t’ia dhënë pronat komunale, komunave të Republikës së Kosovës ka ndodhur edhe në komunat e pjesës veriore të Republikës së Kosovës, kurse vendimi i fundit i Qeverisë për t’ia rimarr këto prona komunave ka ndodhur vetëm për komunat me shumicë shqiptare ku po shihet që një standard i tillë nuk ka ndodhur edhe për komunat veriore të Republikës së Kosovës”.

“Ne mendojmë që të gjitha komunat e Kosovës duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të dinjitetshëm, dhe të mos ketë standarde të dyfishta që pronat komunale të cilat u janë dhënë komunave në menaxhim nga ish kryeministri Haradinaj t’iu merren nga Qeveria Kurti, pronat e këtyre 7 komunave me shumicë shqiptare, por i njëjti standard të mos ndodh edhe me komunat e pjesës veriore të Kosovës”.

Tutje Drejtori i Asociacionit të Komunave ka bërë apel që të rishqyrtohen dhe që komunat të trajtohen në mënyrë të barabartë. “Bëjmë apel që këto vendime të rishqyrtohen sepse me miliona euro komunat e Kosovës para të cilat janë marr nga taksapaguesit kosovar janë investuar në objekte për interes publik dhe shpresojmë që një rishqyrtim i këtij vendimi të ndodh sa më shpejtë që është e mundur në mënyrë që qytetaret t’i shohin investimet e komunave të cilat janë bërë në këto prona”, tha ai.

Ibrahimi tutje ka kërkuar llogari sa i përket këtij vendimi siç ai e konsideroi “standard i dyfishtë”.

“Kërkojmë një lloj llogaridhënie apo përgjegjësie apo deklarimi sa i përket këtij veprimi se pse ka ndodhur vetëm  për 7 komuna e Kosovës e nuk ka ndodhur për komunat të cilat kanë përfituar nga vendimi i ish-kryeministrit Haradinaj në tërësi. Është komunat në pjesën veriore janë në Republikën e Kosovës njëjtë si këto 7 komunat, dhe kërkojmë që të gjitha komunat të trajtohen në mënyrë të barabartë nga Qeveria e Kosovës por të njëjtën kohë bëjmë apel që vendimi i 30 prillit të rishqyrtohet dhe pronat që i janë dhënë komunave në shfrytëzim ashtu të mbesin dhe jo të ju rimerren dhe ti epen Agjencia Kosovare e privatizimit”.