AKK e mbështet Komunën e Prishtinës për ankesë në Kushtetuese nëse nuk i kthehen mjetet financiare

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se do të përkrahin Komunën e Prishtinës, e cila ka paralajmëruar se nëse nuk iu rikthehen mjetet e marra nga Qeveria do të dërgojnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Ai tha se nëse ndodh një gjë e tillë këtë vit, mund të përsëritet edhe viteve tjera.

“Patjetër që jemi konsultuar. Kryetari i Komunës së Prishtinës kur ka dërguar kërkesë se këto mjete të bartën për të investuar në disa projekte është kthyer përgjigje negative. Kjo ka ndodhur me Komunën e Dragashit dhe disa tjera. Aty është deklaruar në grupin e kryetarit se nëse nuk i kthehen 28.8 milionë euro të cilat i takojnë qytetarëve të Komunë së Prishtinës, atëherë do të dërgojë këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo lëndë sot përkrahët jashtëzakonisht shumë nga Asociacioni i Komunave të Kosovës sepse nëse ndodh një gjë e tillë këtë vit, mund të përsëritet edhe viteve tjera”, ka thënë Ibrahimi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Ndryshe, Qeveria ka vendosur që t’ua marrë komunave mjetet vetanake që u kanë mbetur pa shpenzuar. Këto mjete janë bllokuar tashmë nga Ministria e Financave.