Gazetari

AKI i reagon Vehbi Kajtazit për deklaratat në T7: Nuk thotë asgjë

“Agjencia e Inteligjencës së Kosovës ka dërguar informata të pasakta në Gjykatën e Hagës”, kështu ka deklaruar mbrëmë në emisionin Pressing me Leonard Kerqukin, gazetari hulumtues Vehbi Kajtazi duke përmendur rastin e vrasjes së Tahir Zemajt. Sipas tij, AKI e dirigjuar nga presidenti Hashim Thaçi i dha Gjykatës informata të gabuara për këtë rast.

Por menjëherë pas deklaratës së Kajtazit ka reaguar Agjencia Kosovare për Inteligjencë. Nga ky institucion hetues, deklaratat e Kajtazit po i quajnë dezinformata. Tutje nga AKI nuk kanë dhënë shpjegime të tjera rreth deklaratave të gazetarit Vehbi Kajtazit.

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë përgënjeshtron kategorikisht deklaratën e dhënë mbrëmë (më 08.10.2018) nga Vehbi Kajtazi se, gjoja “AKI ka dërguar informata të pasakta në Gjykatën e Hagës”. Veprimtaria e AKI-së, e përshkruar me ligj, është në interes të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës. Prandaj, dezinformatat dhe etiketimet e tilla, përveç dëmit që i bëjnë AKI-së, ndikojnë negativisht edhe në një sërë çështjesh e rrethanash që ndërlidhen me sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe më gjerë!”, thuhet në reagim.

Tutje AKI po këkron mirëkuptim nga deklaratat e personave me peshë publike kur flasin për AKI’në.

E gazetari Kajtazi mbrëmë në ‘Pressing’, deklaroi se “Agjencia e Inteligjencës e cila është vu në shërbim të këtij njeriut për të cilin po flasim, ka dërguar në disa raste informata të pasakta në Gjykatën e Hagës. Pra është mundu me manipuluar nëpërmjet AKI’së dhe ka dërguar raporte të pasakta dhe manipuluese me qëllim të shpëtimit të dikujt tjetër’, tha Kajtazi.