Justin Kluivert është humbësi më i madh nga merkatoja e verës së kaluar.
Sulmuesi u largua nga Ajaxi për të vijuar karrierën tek Roma.
Teksa skuadra e tij po ndesh vështirësi për të arritur zonën Champions, ish shokët e skuadrës po prekin yjet, teksa kanë eliminuar klube si Real Madridi dhe Juventusi në Champions League, por Kluivert thekson se nuk është bërë pishman për këtë lëvizje.
“Nuk jam penduar. Ajaxi është një ekip i mrekullueshëm, por edhe Roma po ecën mirë”, tha fillimisht 21-vjeçari.
“Unë i ndjek ish shokët e mi, jam i lumtur për ta. Por, unë dua të fitoj me Romën, dua të arrijmë vendin e katërt. Nuk ia vlen të flasësh se ku do të isha nëse do qëndroja tek Ajaxi, por kjo nuk e fsheh faktin që unë vijoj ta ndjek ish skuadrën time.
Lumturohem nëse ata fitojnë. Unë do të arrij sukses me Romë, jam i sigurt. Sezoni im i parë ka shkuar mirë, por unë dua edhe më shumë. Dua të arrij edhe në ekipin kombëtar, tani ndihem më i fortë”, e mbylli fjalën e tij Kluivert në një intervistë për “Corriere dello Sport”.







