Ahtisaari shërohet nga koronavirusi

Martti Ahtisaari, ish-presidenti finlandez dhe i dërguari i dikurshëm special për statusin e Kosovës, më 23 mars të këtij viti ishte diagnostikuar me COVID-19.

Ndërsa sot, zyra presidenciale e Finlandës ka njoftuar se Ahtisaari, i cili fitoi çmimin Nobel për Paqe më 2008, po rikuperohet, rreth tri javë pasi ai dhe bashkëshortja e tij u diagnostikuan me sëmundjen.

“Mostrat e fundit të Presidentit Martti Ahtisaari dhe zonjës Eeva Ahtisaari kanë dalë negative dhe ata po e vazhdojnë rikuperimin”, ka thënë kjo zyrë përmes një komunikate, raporton Reuters.

Ahtisaari 82-vjeç, i cili shërbeu në postin e presidentit të Finlandës nga viti 1994 deri më 2000, fitoi çmimin Nobel për Paqe për kontributin e tij të gjatë në ndërmjetësim të paqes, transmeton KOHA.

Ndërkaq deri dje, Finlanda kishte 3,064 raste të konfirmuara me koronavirus nga të cilët 59 të vdekur.

Sipas mediave lokale, Eeva Ahtisaari ishte infektuar me sëmundjen më 8 mars gjatë një koncerti në Helsinki me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ndërsa nga ajo kohë, shumë prej pjesëmarrësve në atë koncert kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Ndërkaq, Martti Ahtisaari ka luajtur rol të madh në disa raste ndërkombëtare ndërmjetësimi, në mesin e të cilave edhe në Kosovë më 2008.