Ahmeti uron formimin e qeverisë, shprehet skeptik për premtimet e Kurtit në ekonomi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka uruar formimin e qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës sot, derisa i ka parë me skepticizëm premtimet e kryeministrit të ri, Albin Kurtit, në fushën e ekonomisë.

Ahmeti, nëpërmjet ‘Facebook’-ut, ka thënë se do ia lë kohës që të vlerësojë ministrat e përzgjedhur nga Kurti. Ish-bashkëpartiaku i tij, Dardan Molliqaj, në anën tjetër ka pasur kritika për shumicën e ministrave të Qeverisë Kurti.

“Urime Qeverisë së re të Republikës së Kosovës! Jo pse pajtohem me politikat por për shkak se vullneti i qytetarëve duhet të jetësohet.  Se a janë emrat e ministrave të duhur, do të kemi mjaftueshëm kohë të vlerësojmë”, deklaroi ai.

Postimi i plotë:

Urime Qeverisë së re të Republikës së Kosovës! Jo pse pajtohem me politikat por për shkak se vullneti i qytetarëve duhet të jetësohet.  Se a janë emrat e ministrave të duhur, do të kemi mjaftueshëm kohë të vlerësojmë.  Ne që jemi në institucione kemi adresë të qartë për funksionimin e shtetit, ndërsa qytetarët – edhe ata që e kanë votuar edhe ata që nuk e kanë votuar- do të kenë adresë për kërkesat e tyre dhe mund të kërkojnë përgjegjësi.

Nga ajo çka dëgjova në prezantimin e Kryeministrit Kurti dhe duke ditur situaten financiare sot dhe potencialin nesër jam skeptik për realizimin e tyre.  Nuk ka nevojë me i rrit pritjet edhe më shumë.  Kësaj radhe vetëm për mundësitë financiare edhe pse nuk pajtohem për disa nga politikat.  Por, do ti gëzohesha shumë realizimit të disa prej tyre.  

Megjithatë, sot, uroj punë të mbarë!