Ahmeti tregon se a do të mbetet në krye të Prishtinës dhe në krye të dialogut

Si përfaqësues i opozitës në bashkëudhëheqjen e Ekipit Negociator, në rast të mungesës së Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike, vendin mund ta zë kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti. Ai tha se është i gatshëm të marrë një përgjegjësi të tillë.

Prioritet i tij mbetet udhëheqja me Prishtinën, gjë që për këto muaj siç tha ai, deri sa të arrihet marrëveshja me Serbinë, do t’i mbajë të dyja, mirëpo në rast të vazhdimit të procesit, atëherë mund ta shqyrtojë pozitën e tij si kryetar i Prishtinës.

“Po flasim për një proces i cili është më i rëndësishmi për shtetësinë e Kosovës dhe mendoj që është i rëndësishëm imputi i të gjithëve. Nëse zgjat më shumë, atëherë e rimendojmë”.

Ahmeti tha se është i hapur për pozitën nëse Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike pranojnë që të jenë pjesë e Ekipit. Mirëpo, nëse kthjellen pas dy, tre muajsh, atëherë Ahmeti tha se “jemi thellë në proces” dhe është vonë.

Ahmeti tha se është i sigurt që do të përfundojnë së bashku në një tryezë.