Shpend Ahmeti: Situata pas shembjes së dheut është nën kontroll

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës, ka thënë se situata në lagjen e Muhaxherëve është nën kontroll pas shembjes së dheut që ndodhi nga mbrëmë për shkak të një gypi të Ujësjellësit që kishte shpërthyer.

Ai ka thënë se janë dërguar shumë kamionë zhavorr për të forcuar hapësirën pasi që të martën pritet të ketë reshje shiu. Ka bërë të ditur se mësimi do të vazhdojë në shkollën “Naim Frashëri”.

“Në një ndërtim aty, një gyp i ujësjellësit ndoshta me fajin edhe të kompanisë, kishte shpërthyer. Uji ka hy nën dhe, dhe ka krijuar një hapësirë. Shtyllat janë aty, por për shkak të sigurisë i kemi larguar banorët nga katër shtëpi, një ishte e banueshme. Edhe ato shtëpi do të largohen së shpejti për ndërtim. Ka qenë një kran i lartë më i rrezikshëm e kemi kërkuar të evakuohen nxënësit nga ‘Naim Frashëri’ për çdo rast. Tashmë janë dërguar 200 kamionë zhavorr sepse nesër pritet reshje shiu e bëhet më problematike”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ka thënë se janë pezulluar ndërtimet në atë pjesë përkohësisht.

Ai ka folur edhe për shpërthimin e gypit të furnizimit të dielën në qendër të qytetit. Ka thënë se, sipas ujësjellësit, problemi ka ardhur për shkak se gjatë muajit të Ramazanit nuk ndalet shtypja fare natën dhe presioni është më i madh.