Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se pas dy rasteve të njëpasnjëshme, të përdorimit të armëve të ftohta në shkolla të Prishtinës, do të kërkohet përgjegjësi nga udhëheqësit e mësimdhënësit.

“Sot isha në emergjencë për herë të dytë brenda pak ditësh. Sot nje nxënës kishte sulmuar tre të tjerë me thikë brenda hapësirave të Shkollës së Bujqësisë pas një zënke. Dy nxënës me plagë të lehta janë liruar, por njëri nxënës kishte pësuar lëndime më të rënda dhe vetëm falë intervenimit të ekipeve të Qendrës së Mjekësisë Urgjente që arritën në vendin e ngjarjes shpejtë, dhe intervenimit të stafit kirurgjik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës i shpëtoi më të keqes. Gjendja e nxënësit është stabile edhe pse në mjekim intenziv. Falënderojmë gjithë stafin mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka treguar se Policia ka arrestuar dorasin dhe presim që organet e rendit ta zbardhin rastin.

“Përtej kësaj, çfarë e shtyn një të mitur ta rrezikojë jetën e një të mituri tjetër? Çfarë e shtyn për të rrezikuar vite në burg për vetën e probleme për familjen? Çfarë e shtyn një prind ta sulmojë mësuesen duke rrezikuar jetën dhe krejt familjen?”, ka pyetur Ahmeti.

“Do të donim të besojmë që zgjidhja është kontrolli në hyrje të shkollës apo një detektor metali por përpos problemeve ligjore, me të drejtë kemi drojën që kjo nuk e zgjidh problemin. Prishtina ka strategjinë për Siguri në Shkollë, por reforma e nevojshme është më e thellë dhe e domosdoshme në krejt Kosovën. Përgjegjësi më e madhe e drejtorëve, angazhim më i madh i mësimdhënësve, pedagogë e psikologë që përcjellin individualisht nxënësit në zhvillimin e tyre dhe i paralajmërojnë zënkat e tilla e deri te angazhimi i komunitetit me policinë nëpër lagje”, ka thënë më tej ai.

Ahmeti ka thënë se “do të kërkojmë përgjegjësi nga udhëheqësit e mësimdhënësit, do të kërkojmë angazhimin e pedagogëve shtesë e deri te diskutimet me komunitetin për masat e sigurisë”.

“Pedagogjia nuk është vetëm ligjërim e notim por zhvillim e monitorim”, ka thënë ai.

Le të jetë ky rasti i fundit, e nxënësit i urojmë shërim të shpejtë. E kaluar qoftë!