Ahmeti: Opozita do t’i bënte mirë PDK-së, do të kemi 65 deputetë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai PSD-së, Shpend Ahmeti kanë zbardhur detaje se si u arrit marrëveshja mes dy partive për të garuar bashkë në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Duke folur rreth arritjes së kësaj marrëveshje, kreu i PSD-së ka thënë se nuk kanë dashur të presin për kalkulime se kush do të vijë në ofertë para shpërndarjes së Kuvendit më 22 gusht.

Shpend Ahmeti në emisionin Pressing të T7 tha se si koalicion janë të hapur për subjektet tjera, duke ditur për sfidat që i presin.

“Ne nuk heqim dorë nga qëndrimet tona që do të shpalosim për atë që jemi marrë vesh. Ne kemi rezerva për projektin Kosova e Re dhe kemi disa tema që dëshirojmë t’i ngremë. Rreziku për ndarjen e kufijve nuk hiqet asnjëherë. Dalja e PDK-së në opozitë do të ishte mirë për Kosovën dhe do t’i bënte mirë edhe PDK-së. Mendoj se do të kemi 65 deputetë shqiptarë dhe do të ketë jetë të gjatë”, tha Ahmeti. Duke folur për luftën kundër korrupsionit, ai tha se do të insistojnë që kjo të jetë lufta kryesore krahas dialogut dhe sfidave tjera.

loading…