Ahmeti: Kryeministri mendon që kur ai e cilëson dikënd si kriminel prokuroria duhet me vepru

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj kritikave të Kurtit për Prokurorinë, në lidhje me grupet kriminale në veri.

Kurti e ka kritikuar Prokurorinë e Kosovës se nuk po ndërmarrin veprime për situatën e tensionuar në veri dhe sulmet nga grupet kriminale.

Ai ka thënë se ka fotografi e video që dëshmojnë se cilët persona janë të përfshirë.

“Nuk e kuptoj Prokurorinë tonë të shtetit, nuk e kuptoj si është e mundur që përkundër qindra fotografive e video-xhirimeve, denoncimeve me emër e mbiemër të atyre personave, nuk ka veprime nga Prokuroria. Është përsëritje e situatës së dhjetorit të kaluar, ku për 3 javë barrikada, asnjë aktakuzë. Tash më 26 dhe më 29 maj nuk shohim veprime të Prokurorisë. Andaj për mua mbetet e pakuptimtë si është e mundshme të ketë këso lloj pasivitetit të prokurorisë së shtetit ndaj këtyre krimeve. Një numër i konsiderueshëm i këtyre ekstremistëve të dhunshëm, edhe kanë qenë në burg më herët. Njësitet Speciale janë aty për shkak të ekstremistëve të dhunshëm e grupeve kriminale. Në mënyrë graduale në përputhje me vlerësimet e sigurisë, do të mund të zvogëlonim atë prani. Hapi i parë sundimi ligjit.”- ka thënë Kurti.

Shpend Ahmeti reagoi ndaj kësaj deklarate kritikuese të Kurtit, duke thënë se kryeministri mendon se kur ai e cilëson dikënd si kriminel me emër e mbiemër prokuroria duhet të veprojë.

Ahmeti shtoi se kush pajtohet me këtë ose nuk e kupton e ose nuk e pëlqen demokracinë.

“Kur kryeministri thotë se i ka përmend kriminelët me emër e mbiemër e prokuroria nuk ka vepru i bjen që kryeministri mendon që kur ai e cilëson dikënd si kriminel me emër e mbiemër prokuroria duhet me vepru. Kush pajtohet me këtë ose nuk e kupton ose nuk e pëlqen demokracinë’.”- tha Ahmeti në rrjetin social ‘’Twitter’’.