Ahmeti: Ishte një takim për kafe, s’është diskutuar për Kryesinë

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Imri Ahmeti ka mohuar se kjo parti të hënën ka mbajtur takim të Kryesisë, duke thënë se sot ishte një takim vetëm për kafe pas homazheve të bëra tek varri ish-presidenti Rugova me kryetarin e  zgjedhur të partisë, Lumir Abdixhiku.

Ahmeti në një deklarim për medie ka thënë se Kryesia e re ende s’është konstituar dhe i mbetet kryetarit të ri të ndërtojë agjendën.

“Është takim i rastit pas homazheve që patëm te presidenti Rugova dhe u kthyem me pi një kafe me kryetarin dhe një nej rasti asgjë më tepër. Për Kryesinë e re nuk u bisedua  asgjë dhe do të vazhdojnë konsultimet e kryetarit me kryetarët e degëve dhe me njerëzit që ai mendon”.

“Kryesia e re nuk është konstituuar ende dhe pritet që kryetari ta ndërton agjendën e vet për ta thirr Këshillin e Përgjithshëm e këshilli është organ që merr vendim për kryesinë”.

Ai ka thënë se Këshilli i Përgjithshëm do të vendosë se kur do të ketë mbledhje të kryesisë.