Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatin e saj për kryeministër, Albin Kurti, për rezultatin e arritur në zgjedhjet nacionale të mbajtura dje.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti i dërgoi mesazh Kurtit që Kosova të ecë përpara me hapa të sigurt dhe të forcojë aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, raporton Klankosova.tv.

“I përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor, ku dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike. U zhvillua një proces i lirë, i ndershëm dhe plotësisht demokratik, duke konfirmuar forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës. Urime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e shënuar! Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj”, shkroi Ahmeti.

Ai njëherësh tha se rruga e Kosovës drejt paqes dhe zhvillimit kalon përmes forcimit të partneriteteve me ShBA dhe BE, duke garantuar një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë.

“Kosova e lirë, e fortë dhe e zhvilluar ka qenë dhe mbetet ëndrra jonë e përbashkët”, shkroi Ahmeti.