Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme që do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.
Ndërkohë ata që do ta marrin qeverisjen pas 6 tetorit, përveç problemeve ekonomike e sociale të Kosovës, do të përballen edhe me çështjen problematike të dialogut me Serbinë.
Analisti politik dhe aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi, thotë se qeveria e re do të duhet të jetë e gatshme që të përballet me këtë temë.
Këtë qëndrim Malqi e ka thënë pas lajmit se Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e ka caktuar MattheW Palmer në pozitën e të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Maliqit një gjë e tillë nënkupton edhe përfshirje direkt të SHBA-së në dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ai thotë se një lëvizje e tillë është tregues se një marrëveshje do të arrihet gjatë vitit 2020, e që si përfundim do të ketë njohjen reciproke.
“Emërimi i MattheW Palmer si i dërguar special për Ballkanin nënkupton përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-ve në dialogun me Serbinë dhe, me gjasë, insistim që kjo punë me u kry gjatë vitit 2020 me njohje të ndërsjelltë. Qeveria e re duhet me qenë e gatshme me u përballë menjëherë me këtë nismë”, ka shkruar Maliqi.
Ditë më parë në media është raportuar për presionin e madh që Pomepo i ka bërë Vuçiqit gjatë vizitës së këtij të fundit në Washington.
Thuhej se Pompeo i ka kërkuar që të njohë Kosovën përmes një marrëveshje finale, duke vënë verën e vitit 2020 si afat kur duhet të arrihet marrëveshja.
Ndërkohë bazuar në të gjitha zhvillimet si në Prishtinë dhe në Beograd, dialogu pritet të fillojë fund të dhjetorit apo në fillim të janarit 2020.







