AGK reagon për gjuhën e zyrtarit komunal të Kamenicës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për gjuhën e përdorur nga zyrtari komunal i Kamenicës ndaj ekipit të T7.

“Vaxhid Rexhepaj, Shef i Kabinetit të Kryetarit të Kamenicës, Kadri Rrahimaj, ka përdorur gjuhë të papërshtatshme ndaj gazetarit të Televizionit 7, Çlirimtar Morina“, thuhet në komunikatën e lëshuar nga AGK.

Kjo është komunikata e plotë:

 AGK: E papranueshme gjuha e zyrtarit komunal të Kamenicës ndaj T7

Vaxhid Rexhepaj, Shef i Kabinetit të Kryetarit të Kamenicës, Kadri Rrahimaj, ka përdorur gjuhë të papërshtatshme ndaj gazetarit të Televizionit 7, Çlirimtar Morina. 

Rexhepaj, i pyetur për një fotografi montazh në zyrën e Rrahimajt që është bërë virale, ka zgjedhur t’i sulmojë mediat, në vend të dhënies së një përgjigjeje. 

Në videon e publikuar nga T7, Rexhepaj dëgjohet duke thënë se “pikturën do t’ua dërgojmë pronarëve tuaj, si Aleksandar Vuciqi”. 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e konsideron të papranueshme dhe kërcënuese një gjuhë të tillë, e që nuk është një rast i izoluar ndaj gazetarëve që përcjellin aktivitetet e zyrtarëve shtetërorë në terren. Edhe njëherë, AGK-ja, u bën thirrje zyrtarëve të pushtetit si qendrore ashtu edhe lokale, që të mos përdorin gjuhë denigruese ndaj gazetarëve dhe të respektojnë punën e tyre.