Asociacioni i Gazëtarve të Kosovës përmes një komunikatë për media, ka dënuar sulmin e shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipi që ky i fundit i ka bërë mediave.

Në komunikatë thuhet se Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”.

Tutje, thuhet se AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti, është shumë e rrezikshme dhe bën thirrje hapur për linçim.

AGK-ja e sheh gjuhën e Dalipit si vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, si gjë që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve.

Lexoni komunikatën e plotë:

AGK-ja dënon sulmin e shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipi ndaj medieve

Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, sot ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato.

AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme, dhe thirrje e hapur për linçim.

Gjuha e zotit Dalipi është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetarit në vend.