Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit: Do t’i padisim ata që e vrasin ariun

Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK), Ilir Morina, ka reaguar ndaj lajmit se është vendosur që ariu i Prizrenit të vritet. Ai ka thënë se Ariu është kafshë në mbrojtje të ligjit të natyrës, dhe se do të paditet çdo institucion i cili vret një kafshë të mbrojtur nga ligji.

“Ariu është kafshe nen mbrojtje me ligjin e natyrës, dhe nuk guxon te vrahet me vendim bazuar ne ligjin e gjuetisë” shkruan ai.

Gjithashtu Morina shtoi se AMMK do të dalë shumë shpejtë me një reagim dhe rekomandim për këtë çështje.

“Për pak AMMK do dal me reagim dhe rekomandime te komisionit profesional qe është marre me këtë çështje qe dhjetra dite. Do padisim çdo institucion i cili vret një kafshe te mbrojtur me ligj.”

Sot gjatë ditës, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Prizren, Egzon Elshani kishte paralajmëruar se Inspektorati i Agjencisë për Mbrojtjen e Pyjeve, ka marrë vendim për vrasjen e këtij Ariu.

Ndërsa reagim kishte pasur edhe zëdhënësi i Ministrisë së Mjedisit, Leutrim Sahiti, i cili kishte thënë se nuk duhet të vrahet Ariu, për shkak se është i mbrojtur nga ligji.