Të enjten e 24 tetorit, një prind i një nxënësi të shkollës “Dardania” në Prishtinë kishte akuzuar shkollën se po u shpërndan fëmijëve kifle me afat të skaduar. Si provë ai kishte bashkëngjitur një fotografi në të cilën shihej se kiflet e shpërndara kishin datën 27 shtator. Lidhur me këtë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës kishte filluar hetimet ndaj produktit të furnizuesit “Premium Bakery”.
Shqetësimi i prindit të nxënësit të klasës së dytë në shkollën “Dardania” në Prishtinë, për kiflet me afat të skaduar, ka bërë që AUV t’i fillojë hetimet ndaj këtij produkti.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë për Gazetën Express se kanë përfunduar hetimet ndaj rastit të raportuar javën e kaluar.
Nga krejt kjo po del se afati në qeset e kifleve ka qenë i shtypur gabimisht.
“Pas hulumtimit të plotë, gjurmueshmërisë se rastit të raportuar për kifle me afat të skaduar Inspektorati Sanitar i Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë ka vërtetuar se afati i skadimit shënuar në kifle ka qenë i shtypur gabim. Menjëherë pas marrjes se shqetësimeve nga qytetaret se në një shkollë në Prishtinë janë shpërndarë nxënësve kifle me afat të skaduar. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dërguar Inspektoret Sanitar për të shqyrtuar rastin. Fillimisht është inspektuar shkolla nga janë marrë të gjitha informatat mbi rastin, po ashtu nga pranuesi i produkteve që shërbehen për nxënësit janë marrë mostrat kifle produkt të shpërndara në ditën qe ka ndodhur rasti”, ka thënë Thaçi.
Thaçi thotë se dëshmitë mbi datat e prodhimit të produkteve kanë vërtetuar se fabrika nuk prodhon asnjë produkt me afat qëndrueshmërie mbi një muaj.
Ai po ashtu ka treguar se në produkt nuk janë hasur ndryshime të cilat do të ishin të pranishme nëse do të kishte afat të skaduar.
“Dëshmitë mbi datat e prodhimit të produkteve vërtetojnë se fabrika nuk prodhon asnjë produkt me afat qëndrueshmërie mbi një muaj, të gjitha afatet maksimale të kileve të prodhuara janë deri ne 3 ditë qëndrueshmëri. Të gjitha furnizimet dhe kthimet e mallit i ka të evidentuara. Në furnizimet e të njëjtës date produktet kanë qenë të njëjta në kontrollin fizik dhe organoleptik me produktet ku afati ishte shënuar ne rregull. Produkti nëse do ishte sipas datave të shënuara gabim do të pësonte ndryshime, të cilat nuk janë hasur në produkt”, ka shpjeguar Thaçi.
Visar Xani ishte prindi i cili kishte akuzuar shkollën se po u shpërndan fëmijëve kifle me afat të skaduar. Përmes një statusi në Facebook, Xani kishte shpërndarë edhe fotpgrafinë e cila dëshmonte se data në kiflet e shpërndara me 24 tetor ishte 22 shtator.
“Unë babai i Jearit po bëj denoncim qe sot ne ëhkollën fillore Dardania ne Prishtine ku ai është nxënës i klasës së II, Jearit dhe fëmijëve u janë shpërnda kifle pa afat pra me afat te skaduar me datë: 27/09/2019. Të nderuar prind, nëse vëreni te fëmijët tuaj ndonjë shqetësim e kanë nga këto kifle pa afat. Shpend Ahmeti vazhdon te na i dëmtoi femijet dhe për këtë do të duhet dikush të ndiqet penalisht. Pasi qe fëmijëve u janë shpërndarë këto kifle një pjesë e nxënësve i kane ngrenë ndërsa ata te cilët nuk i kane ngrënë i kanë dorëzuar aty ku edhe i kane marrë”, kishte shkruar Xani në Facebook.
Ndërkaq furnizuesi “Premium Bakery” kishte reaguar përmes një deklarate ku kishte thënë se data e skadimit nëpër qeset e kifleve ka qenë e shtypur gabim.
“Dje me datë 23.10.2019 për shkak të një gabimi teknik në shtypësin e datës së skadimit, një sasi e kifleve për nxënësit e Shkollës Fillore “Dardania” në Prishtinë është furnizuar me datë të skadimit të gabuar. Në vend të datës së skadimit 27.10.2019 është shtypur 27.09.2019, është gabuar muaji i skadimit. Sasia e kifleve për shkollat e Prishtinës prodhohet në baza ditore dhe si rrjedhojë nuk mund të ketë sasi me të cilën furnizohen shkollat me afat të skaduar”, thuhej në reagimin e kompanisë.







