Agim Veliu në takimin e kryesisë ka kërkuar të mos lëshohet pe

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka nisur sot herët një takim me kryesinë e ngushtë, nënkryetarët e partisë, Lutfi Hazirin, Vjosa Osmani dhe Agim Veliun. Ky takim sapo ka përfunduar dhe siç thonë burimet e Reporteri.net, ka qenë jo edhe aq i lehtë.

Nënkryetari Agim Veliu, thonë burimet tona, po kundërshton tërheqjen e LDK-së nga negociatat për president. Ai insiston që presidenti të përfshihet tash në marrëveshje e jo më vonë, siç ka gjasa të pranojë LDK-ja.

Veliu ka qenë më i zëshmi që mos të lëshohet pe ndaj Vetëvendosjes, dhe ende nuk dihet se a është bindur nga Mustafa dhe të tjerët që të ndryshojë qëndrim.

Takimi i kryesisë së ngushtë të LDK-së, rezistenca e Veliut kanë bërë që të shtyhet takimi Mustafa – Kurti i paraparë për sot në ora 13:00.

Burimet e Reporterit thonë se ka gjasa që sot gjatë ditës, në orët e mbrëmjes të ketë një takim Mustafa – Kurti.

Mustafa sot bëhet e ditur se ka takuar edhe Këshillin Drejtues të LDK-së.