Agim Veliu dhuron çelësat e shtëpive për 20 familje të Podujevës

Për nder të festës së 28 Nëntorit, sot në Lagjen e Kuvajtit, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka dorëzuar çelësat e shtëpive për 20 familje. Pas një viti, sot 20 familje që jetonin në baraka u bënë me shtëpi të reja në këtë lagje në fshatin Balloc.

Kryetari Veliu me këtë rast theksoi se do të angazhohet derisa të largohet edhe familja e fundit nga baraka.

“Dorëzuam 20 çelësat për shtëpitë e ndërtuara në këtë kompleks, është mirë që këto shtëpi janë ndërtuar dhe të përfundoj ky projekt. Do të vazhdojmë derisa të largojmë edhe kontejnerin e fundit nga këtu. Gjatë këtij viti kanë dalë disa vështirësi, pasi që bashkëpunimin që e kemi pasur me Ministrinë, e ajo na ka munguar”, tha ai për media.

Më tej, kryetari Veliu apeloi te Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që t’i bashkëngjitet këtij projekti deri në përfundim.“I ftoj të na bashkëngjitet edhe Ministria se këta banorë që një kohë të gjatë jetojnë në këto kushte të rënda. Nëse nuk na mbështesin, unë deklaroj se Komuna me mjetet e veta buxhetore do ta përfundojnë në tërësi projektin”, tha Veliu.

Në fund, Veliu shtoi se në këtë pjesë do të intervenohet edhe në infrastrukturë.