Agim Kajmaku u kap me drogë në Itali, gruaja e tij ka llogari bankare mbi 2 milionë dollarë

Arrestimi i Agim Kajmakut dhe nipit të tij Edmond Kajmaku kanë tërhequr edhe vëmendjen e medieve në Itali.

Kajmaku dhe nipi i tij, u vunë në pranga pasi u kapën me 20 kilogramë kokainë. Nëse kjo sasi do të hidhej në treg do të arrinte fitime deri në 1 milionë euro.

Media italiane thotë se ditët e fundit në portin e Durrësit është ushtruar kontroll në një prej kamionëve të kompanisë shqiptare. Aty janë zbuluar disa vende të fshehta ku dyshohet se futej droga megjithatë, brenda mjetit nuk është konstatuar asnjë sasi droge. Prandaj autoritetet dyshojnë se kjo është skema se si kanë arritur të lëvizen qindra kilogramë drogë.

Ish kryetari i Bashkisë së Vorës, i cili u kap me 20 kg kokainë nga autoritetet italiane, ka blerë një pasuri të paluajtshme me vlere 1 milionë lekë, pasuri të cilën më pas ia ka shitur kompanisë së vet me vlerë 730 mijë USD.

Kajmaku deklaron se në vitin 2003 ka blerë në Vorë një ndërtesë me sipërfaqe me 356 m2 si dhe tokë truall me sipërfaqe 2100 m2, me vlerë 1 milionë lekë. Në shkurt të vitit 2017, Kajmaku e ka rivlerësuar këtë pasuri në vlerë 73 milionë lekë ose rreth 730 mijë USD. Një muaj më pas, në mars të vitit 2017, Agim Kajmaku ia ka shitur këtë pasuri kompanisë ‘Kajmaku’ shpk, në vlerë 730 mijë USD. Bashkëpronarë të kompanisë ‘Kajmaku’ shpk ishin pikërisht Agim Kajmaku me 49 % të aksioneve dhe bashkëshortja e tij, Merita Kajmaku. Pasi u zgjodh kryebashkiak i Vorës, në korrik të vitit 2019, Kajmaku ia shiti 49 % të aksioneve bashkëshortes së tij Merita Kajmaku në vlerën 100 mijë USD.

Ndërkaq, Agim dhe Merita Kajmaku deklarojnë një pasuri në total me vlerë 2.5 milionë USD, pa llogaritur kapitalin e kompanisë e Kajmaku, me emër të ndryshuar në A.M.E 2020, me vlerë rreth 20 milionë lekë ose 200 mijë USD. Si burim i llogarive bankare dhe pasurive të paluajtshme, Agim dhe Merita Kajmaku deklarojnë kursime familjare si dhe të ardhura nga aktiviteti i biznesit përmes kompanisë së farërave dhe fidanëve A.M.E 2020. Të ardhura nga biznesi konsiderohet ndarja e fitimit nga veprimtaria vjetore e kompanisë. Dividenti i ndarë nga aktiviteti i kompanisë Kajmaku është modest, që do të thotë se baza kryesore e burimit të pasurisë janë të ardhurat familjare.