Agim Çeku: Prokuroria e kupton gabimisht definicionin e veteranit luftëtar dhe pjesëtarit të UÇK’së

Ish-kryetari i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, Agim Çeku, së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Shkumbin Demaliaj si dhe zëvendës komandanti i UÇK’së për zonën operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha, kanë dhënë dëshmitë në mbrojtjen e tyre në rastin e njohur si “Veteranët”.

Çeku gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se kishte ardhur në krye të Komisionit për verifikimin e kategorive të dala nga lufta, pasi që ish-kryetari Azem Syla kishte dhënë dorëheqje.

Çeku ka treguar se qëllimi që kishte pasur ky Komision, kishte qenë që të vihet deri te një numër i saktë i të gjithë kategorive të luftës. Fillimisht, Çeku ka thënë se kishin ardhur afër 80 mijë aplikacione nga persona që pretendonin se i takonin njërës nga kategorive të luftës.

“E pranoj që për mu edhe për anëtarët tjerë ky numër ka qenë i papritur se një numër kaq i madh mendojnë se e meritojnë një status të tillë. Këtu fillojnë vështirësitë dhe dilemat e mia si kryetar i Komisionit se si do të përmbyllim këtë proces shumë voluminoz”, ka thënë Çeku, transmeton “Betimi për Drejtësi.

Po ashtu, Çeku ka thënë se Komisioni në fjalë ka pasur 16 anëtarë ndërsa nga prokuroria janë akuzuar vetëm 12.

Gjithashtu, Çeku ka shtuar se prokuroria gabimisht e kishte kuptuar definicionin e veteranit luftëtar.

“Prokuroria e kupton gabimisht definicionin e veteranit luftëtar dhe pjesëtarit të UÇK. Sa për ilustrim, kanë qenë disa pjesëtarë të shoqatës “Nënë Tereza” që kanë dërguar ndihma dhe kanë qenë disa bashkatdhetar të mi në Zare të Kroacisë që kanë dërguar një kamion ndihma dhe këta janë pjesëtarë të UÇK. Këta kanë marr detyra dhe kërkesa nga komandantët se çka ju nevojitet. Të gjitha ndihmat janë dorëzuar të shefi i logjistikes, i cili ka qenë i armatosur dhe i uniformuar”, ka thënë Çeku.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.