Agim Çeku ia bën një profil interesant Albin Kurtit

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i ka bërë një përshkrim kryeministrit Albin Kurti në emisionin Pressing në T7.

Çeku ka thënë se Kurti është një njeri i vetmuar dhe se kjo qeveri është “qeveri e punëve të vogla” pasi të mëdhatë i kanë bërë qeveritë e tjera dhe drejtuesit në luftë.

“Mendoj që tash kjo qeveri e punëve të vogla, po merret me punë të vogla dhe po i bën disa mirë. Ka disa veprime që shkojnë në frymën e pastrimit të disa gjërave e përmirësimin e disa defekteve. Por në aspektin e afirmimit të shtetit është shumë dobët. E njoh pak kryeministrin personalisht, kam ndejt me të dhe e kam respektuar. Ka qenë një korrigjues i mirë i qeverisë. Por për pranimin e disa gjërave kemi pasur biseda me ndërkombëtarët. U kemi thënë s e i kemi disa që nuk mund të merremi vesh me ta. Ndoshta i ki disa argumente të mira por disa pjesë të popullit nuk i kuptojnë. Problemi është se ka pak miq. Me qenë i madh duhet të kesh dy gjëra. Vepra dhe miq shumë. Nëse ke vepra, por je vetëm, atëherë je i vogël. Ma shumë është dashur të ketë një koordinim më të afërt me shtetet e Quintit. Duhet të jetë më i afër me SHBA-në dhe të ketë një koordinim më të madh me ta e mos të thotë se cka na këshillojnë ata nuk është më e mira për ta”, ka thënë ai.

Çeku komentoi edhe ndalimin e mbajtjes së zgjedhje të Serbisë në Kosovë, duke thënë se Serbia fitoi në aspektin diplomatik.

“Parimisht është në rregull, Kosova është vend sovran dhe ka qytetarë me dyshtetësi. Por në situatën çfarë jemi, kur Quinti me SHBA-në të tregojnë se çfarë duhet të bësh. Për referendum kishte konsensus. Çfarë kishte të votojë një serb i Kosovës për ndryshimet kushtetuese në Serbi. Por zgjedhjet janë ndryshe. Ka interes se kush duhet të votojë. Por kjo nuk është fort me rëndësi. Humbja e rastit që të gjejë një interes të përbashkët me Quintin është problematike. Serbia fitoi dhe tha se nuk do të organizojë zgjedhje me forcë. Fitoi shumë në aspektin diplomatik”, përfundoi ai.