Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, ka pritur në një takim komandantin e ri të Karabinierëve, kolonelin Ruggiero Capodivento me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në Mitrovicë dhe gjendjen e sigurisë në komunë.

Bahtiri pasi ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e komunës me pjesëtarët e KFOR-it, e njoftoi komandantin Capodivento mbi gjendjen aktuale politike e të sigurisë në komunë, për të cilën tha se është e qetë dhe pa probleme, thuhet në një komunikatë të komunës së Mitrovicës.

“Në komunën e Mitrovicës janë bërë hapa të mëdhenj në stabilizimin e plotë të gjendjes së përgjithshme. Për këtë gjë u jam mirënjohës KFOR-it, Policisë së Kosovës, Karabinierëve, dhe të gjithë ata që kontribuan në ruajtjen e paqes për qytetin tonë. Në këtë drejtim qenësor ka ndikuar edhe angazhimi dhe përkushtimi i vet qytetarëve, të të gjitha përkatësive etnike, për të pas një situatë të qetë“, ka thënë Bahtiri.

Kurse komandanti i ri i karabinierëve italianë, koloneli Ruggiero Capodivento, është shprehur të jetë i kënaqur me të arriturat e qytetit dhe punën e kryetarit Bahtiri, duke shtuar se bashkëpunimin e mirë të deritanishëm ndërmjet Komunës dhe KFOR-it Italian vetëm sa do të intensifikohet dhe të pasurohet më shumë, me qëllimin e vetëm të realizimit të kërkesave të qytetarëve për të jetuar në paqe dhe për një jetë pa brenga.