Agim Bahtiri për tensionet në veri: Arusha s’tutet me tupan

Ish-kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se ka dalë në terren, pas krijimit të tensioneve në veri të vendit.

Bahtiri në një prononcim për gazetën Nacionale, ka lutur qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe t’i lejojnë organet e rendit ta kryejnë detyrën e tyre.

“Jam tu e percjellë, në terren jam. I ftoj qytetarët që ta mbajnë qetësinë. Lus qytetarët që të mbajnë qetësinë absolute dhe t’i lejojnë organet e shtetit dhe drejtësinë që të merren me punën e tyre”, ka thënë ai.

Bahtiri tutje ka shtuar se po krijohet panikë e panevojshme, derisa tha se “arusha me tupan nuk tutet”.

“Është ndezur alarmi, shumica prej qytetarëve nuk po i përgjigjen, si më parë. Po dëshirojnë të krijojnë panikë të panevojshme sepse në fund të fundit, arusha me tupan nuk tutet. Deri në këtë moment është qetë dhe po besoj që do të jetë kështu”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Policia e Kosovës pak më parë ka konfirmuar se ka mbyllur pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje për qarkullim udhëtar.

Policia ka bërë të ditur se kjo ka ndodhur për shkak të rrugëve që çojnë në drejtim të këtyre pikë kalimeve, derisa ka bërë thirrje që të shfyrtëzohen pikat tjera për qarkullim.

“Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtar dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak. Njoftohen të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në komunikatë.