Agim Bahtiri nuk e mohon kalimin në AAK-në e Haradinajt

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri nuk e ka mohuar kalimin në AAK, pas njoftimit për largim nga AKR-ja.

Bahtiri, gjatë ditës së sotme është takuar me kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinajn, i cili njëherit është edhe kryetar i AAK-së, për të biseduar, siç bënë të ditur, për zhvillimet e fundit politike në vend.

Mirëpo, njoftimi i djeshëm i Agim Bahtirit për largimin zyrtar nga AKR-ja të marten e ardhshme, ngjalli dyshime se takimi i sotëm ka të bëjë me kalimin e mundshëm të tij në AAK.

Ballkani.info ka kontaktuar me Bahtirin, dhe ai nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

“Vendimin tim dhe pretendimet e mia do t’i kuptoni të martën”, tha Bahtiri për Ballkani.info.

Kujtojmë që mbledhja e kryetarit të Mitrovicës me strukturat e AKR-së në këtë komunë, në të cilin do të zyrtarizohet largimi i tij nga AKR-ja, do të mbahet të marten në orën 16:00. /Ballkani.info/

loading…