Agim Bahtiri: Me Haradinajn në Qeveri s’do të ketë ndarje të veriut

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se me Ramush Haradinajn në Qeveri, nuk do të ketë ndarje të veriut.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka shtuar se lëkundja e koalicionit qeverisës po ndodh pikërisht për shkak se Haradinaj është kundër asaj që të ketë ndarje të veriut.

“Kjo Qeveri është themeluar nga një njëri që ka pasur një mision dhe misioni ka qenë marrëveshja me Serbinë. Unë e kam ditur mirë se pjesë e kësaj Qeverie është edhe Ramush Haradinaj sepse ai edhe në vitin 2018 ka qenë kundër ndarjes së veriut”.

“Me Haradinajn në Qeveri nuk do të ndahet pjesa e veriut dhe lëkundja është pikërisht këtu. Hoti dëshiron të bisedojë i vetëm sepse ai ka porosi nga dikush tjetër – andaj është e drejtë lëkundja e kësaj Qeverie të cilën gjë e ka thënë edhe Haradinaj”.

“Me iniciativën për rrëzimin e Qeverisë, ne do t’i qesim në sipërfaqe ata që fshihen pas perdes. Po flasim për PDK-në, të shohim se a janë ata me të vërtetë në opozitë, apo janë pas perdeve”.

“Ne do ta marrim këtë iniciativë, në mënyrë që secilit t’i del e vërteta para qytetarëve. Me mospërkrahjen e mocionit, shihet se ata [PDK] janë pas perdeve duke bashkëpunuar”.

“PDK çdoherë del me dy tema me të njëjtin qëllim dhe fshihet pas diçkaje. Kësaj radhe nuk do të mund të fshihet sepse ne jemi ata që do t’i shpalosim”.