Agim Bahtiri: Asnjë minutë të mos ndalen kërkimet për gjetjen e të riut

Edhe pse kanë kaluar mbi tetë orë kërkimi, punëtori i zënë nga gërmadhat e ish hotelit “Adriatiku” në Mitrovicë, akoma nuk është gjetur nga ekipet emergjente.

Pas kërkimit disa orë nga zjarrfikësit, ekipet emergjente dhe policia, në vend të ngjarjes në orët e mbrëmjes kanë dalë edhe pjesëtarët e FSK-së, të cilat kërkimin po e bëjnë me anë ty qenve të specializuar për kërkime, shkruan Veriu.info

Lidhur me rastin kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga FSK-ja, Zjarrfikësit, Policia dhe përgjegjësit e tjerë, që për asnjë minutë mos t’i ndalin kërkimet.

“Kërkoj nga FSK-ja, ekipi i shpëtimtarëve të Zjarrfikësve, Policia dhe personat tjerë përgjegjës, që për asnjë minutë mos t’i ndalin kërkimet deri në gjetjen e personit të zënë nga gërmadhat e ish hotelit “Adriatiku”.

Edhe pse ndodhem jashtë shtetit tek familja ime, jam duke e përcjellë me vëmendje të plotë aksionin për kërkimin e të riut, ku vazhdimisht jam në kontakt me gjitha organet shtetërore relevante për rastin.

Të lutemi që i riu të gjendet shëndosh e mirë”, ka shkruar Agim Bahtiri në Facebook.