Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, përmes Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, së bashku me zhonglerin Agim Agushi, do organizojë garën e radhës për futjen në librin e rekordeve Guinness.

Në të vërtetë, Agushi do të tentojë të thyejë rekordin e tij të cilën e kishte vendosur para rreth 4 vitesh me nipin e tij, Leutrim Agushi, në disiplinën pasime në çift, tashmë me një tjetër nip, Bujar Ajetin.

Rekordi aktual në këtë disiplinë, i cili ishte vendosur në verën e vitit 2015 në Viti, është 30 minuta e 11 sekonda. Agushi tha se ka qenë kërkesa e vet librit Guinness që të arrijë rekord të ri, pasi nuk ka pasur të tjerë të cilët kanë tentuar ta sfidojnë atë.

“Disiplinën në të cilën do të sfidojmë rekordin aktual të Librit të Guinness është pasimi në çifte me nipin tim, Bujar Ajetin që për momentin është në Austri.[…] Rekordi aktual i Librit të Guinness për këtë disiplinë është 30 minuta e 11 sekonda i arritur me 22 korrik të vitit 2015 në Komunën e Vitisë, prapë atëherë e kam arritur me nipin tim, djalin e vëllait, Leutrim Agushin, ka qenë një rekord të cilën e kanë pasur çifti nga Suedia mirëpo ne arritëm ta sfidojmë atë rekord të Guinness”, tha Agushi.

Dekani i Fakulteti të Edukimit Fizik dhe të Sportit, profesor Musa Selimi, u shpreh se e kanë obligim të mbështesin një ish-student të tyrin.

Ai njoftoi se tashmë kanë bërë kërkesë edhe tek Këshilli Drejtues të Universitetit të Prishtinës që rekordmeni Agushi të mbështetet edhe materialisht dhe shpreson që kjo kërkesë të miratohet. Agushi, duke shprehur besimin se do të thyejë këtë rekord, tha se është në përgatitje për të vendosur të tjera rekorde edhe më të mëdha se ky i 10 majit në Prishtinë.

Ai synon që të vendosë rekorde në ndërtesën Burj Khalifa, atë të Donald Trumpit si dhe po pret konfirmimin se kur mund të sfidojë rekordin për veshjen dhe zhveshjen e fanellës sportive mbi 150 herë brenda një hapësire prej 1 metër katror.Agim Agushi dhe nipi i tij, Bujar Ajeti, do të tentojnë të vejnë rekord të ri në disiplinën pasime në çift të premten e 10 majit në platenë tek Biblioteka Kombëtare.

Ngjarja e cila do të regjistrohet me kamera dhe me praninë e dy anëtarëve të jurisë do t’i dorëzohet Librit Guinness dhe më pas do të konfirmohet nëse rekordi është pranuar ku si dëshmi vjen edhe certifikata.