Agim Ademi jep shpresë për Milot Rashicën

Ademi vazhdon të shpresojë se Rashica do të zbresë në fushë për Kosovën për ndeshjet e shtatorit.

Agim Ademi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës në një intervistë në “Sport Show” ka zbuluar të rejat e fundit te “Dardanët” para ndeshjeve të shtatorit.

Ai ka folur edhe për mungesën e disa futbollistëve për këto dy ndeshje shkaku i rregullave anti-COVID nga disa shtete.

Ademi thotë se këtë problem se ka vetëm Kosova, derisa vazhdon të shpresojë se Rashica do të zbresë në ‘Fadil Vokrri’ kundër Greqisë.

“Këtë problem nuk e ka vetëm Kosova, por edhe shtetet tjera. UEFA është në bisedime me të gjitha federatat respektive”, u shpreh Ademi.

“Besoj se edhe Rashica do të vjen, por le ta shohim. Vendimet shpresojmë se do të ndryshojnë, ne do t’i bindemi të gjitha kërkesave të UEFA-së”, tregoi ai.

“Testimet për COVID-19 do t’i bëjmë nga një laborator i licencuar nga UEFA. Që nga nesër do të nisim me testime, të gjithë të tjerët edhe Challandes jemi testuar, dhe kemi dalur negativë”, shtoi i pari i FFK-së.

Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve.

Kosova fillimisht do të ketë punë me Moldavinë në Itali, me 3 shtator, derisa më pas me Greqinë në “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express/