Kompania e ndërtimi “KAWA Group” ka hapur konkurs për punëtorë ndërtimi, ku do të pranohen 100 persona.
Në këtë aplikim kanë konkurruar afro 500 persona, për pozitën mjeshtër ndërtimi, armirues dhe punëtorë të thjeshtë.
Valon Vataj, pronari i “KAWA Group” ka thënë se është i mrekulluar nga një interesim i tillë, pasi është thënë se nuk ka punëtorë në Kosovë.
“Kjo masë e konkurruesve tregon se sa është interesimi i madh, pasi këtu luan rol kushtet e punës për punëtorët në Kosovë”, ka thënë Vataj.
Punëtorët që do të pranohen në këtë vend pune do të kenë pagat më të mëdha në vend sa i përket sektorit të ndërtimi, teksa do të ketë secili sigurim shëndetësor dhe jetësor.
“Ajo që është e veçantë është se përpos pagesës, secili do të ketë sigurim shëndetësor, sigurim jetësor, paga të rregullta për 12 muaj, kontratë të rregulltë pune, pushim vjetor sipas ligjit, ushqim dhe mjetet më të mira të punës”, ka shtuar Vataj.
“KAWA Group” do të fillojë të ndërtojë kompleksin “Lord Residence” në Veternik të Prishtinës. Ky kompleks do të ketë qendër tregtare, hotel dhe kompleks banesor.







