Eskalimi i situatës në mes Llapit e Feronikelit me FFK-në dhe Prishtinën është kthyer edhe në akuza të rënda personale në mes prijësve të tyre!
Gjatë fundjavës situata në IPKO Superligën e Kosovës në futboll eskaloi me të madhe. Pas derbit Llapi – Prishtina, llapjanët e lëshuan një akuzë tepër të rëndë, duke e akuzuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) se ia kishte ofruar Prishtinës 38 mijë euro premi për ta mposhtur Llapin. Kjo u mohua kategorikisht nga shtëpia e futbollit që përmes një deklarate u mundua ta pastrojë kryetarin Agim Ademi nga akuzat e Llapit.
Por, kjo komunikatë nuk e bindi Feronikelin, i cili shprehi mllef ndaj FFK-së, duke shprehur shqetësimin se mund ta humbas kryesimin si pasojë e afrimit të FFK-së me Prishtinën. Por, pas krejt kësaj zhurme dikur reagoi edhe Prishtina, e cila mohoi të ketë marrë premi nga FFK-ja, derisa hodhi akuza të rënda ndaj Llapit dhe Feronikelit.
Kjo sikur nuk mjaftoi. Udhëheqësit e klubeve tashmë kanë filluar të zhvishen nga ngjyrat e klubeve përkatëse dhe të merren personalisht me njëri-tjetrin.
Nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi e kishte injoruar keq drejtorin e Llapit, Tahir Batatinën. “Nuk është absolutisht e vërtetë qe i kemi marre 38 mijë euro. Le te këqyr ai Batatina a Zhatatina spo di qysh me i thënë, skuadrën e vet, ka ardhur nga ndërtimtaria në futboll. Federata e ka shlyer një borxh qe ka pas ndaj Prishtinës për të drejtat televizive”, ka thënë Muçiqi për SuperSport.
Por, shpejt i është kundërpërgjigj figura kryesore e Llapit. Batatina e ka akuzuar, por edhe ofenduar, personalitetin e Muçiqit.
“I nderuari Afrim Muçiqi, unë nuk vij nga një familje që i fyej njerëzit, nuk vij nga një familje pa moral, nuk i përkas një familje që luajmë kockë dhe as bixhoz. Për këtë e din opinioni i gjerë shumë mirë prandaj ndihem i lumtur dhe krenar para qytetarëve te vendit tim dhe shtetit tim”, ka shkruar Batatina në “Facebook”.
Batatina me krenari e ka treguar punën e tij me ndërtimtari, por edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovë. Ndërsa, për Muçiqin ka rezervuar injorim të madh. “E vërtetë se zëri nuk na shkon që të këndojmë, bixhozi jo, Kocka jo e as bastoret jo sikurse ty e këto ti fali për gjithë jetën ty”, ka theksuar ai.







