Afera milionëshe e Martin Berishajt | A po përgatitet Tomë Gashi që të bëhet avokat i tij?

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i përfolur për implikimin e tij në një aferë milionëshe me mafinë energjetike, po qëndron këto ditë në Kosovë.

Sot është publikuar një fotografi e tij me avokatin Tomë Gashi, po ashtu, mbështetës pa asnjë rezervë i Qeverisë së Albin Kurtit dhe partisë së tij.

Ndonëse Berishaj dhe Kurti në vazhdimësi i kanë mohuar akuzat, fotografia e ambasadorit me avokatin lë dyshime, shkruan Demokracia.com.

Se a është servizilëm i zakonshëm i Gashit apo ndihmë profesionale, mbetet të shihet.

Diplomati kosovar në Zagreb dyshohet se është i përfshirë në një skandal financiar për shpëlarje parash në Slloveni, por ai as nuk u shkarkua nga pozita që udhëheq dhe as shteti nuk ka nisur një hetim për të.

Së paku kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria e Shtetit dhe as nga Prokuroria Speciale.

Berishaj, në prill të vitit të kaluar, sipas mediave në Lubjanë, dyshohet se ishte përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni.

Mbështetur në raportimet e asaj kohe, Berishaj dyshohet se i kishte bartur mijëra euro para kesh nga kompania e tij MB Consulting te politikani slloven Robert Golob, tash kryeministër i vendit.

Këto para Berishaj dyshohet t’i ketë marrë nga kompania GEN-I, me degë në Serbi.

Kjo e fundit përgjatë viteve 2015-2022 ka derdhur mbi 1 milion euro në xhirollogarinë e MB Consulting, biznes ky në pronësi të diplomatit kosovar.